Mungojnë Rashani dhe Hadërgjonaj! Kurtulus braktis Kosovën për Suedinë, Giresse: Jam i zhgënjyer

Futboll

Mungojnë Rashani dhe Hadërgjonaj! Kurtulus braktis Kosovën për Suedinë, Giresse: Jam i zhgënjyer

Më: 27 maj 2022 Në ora: 15:57
Kurtulus braktis Kosovën për Suedinë, Giresse: Jam i zhgënjyer

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse është paraqitur në konferencën e parë për media para katër ndeshjeve të muajit qershor në edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Ai ka thënë se muaji qershor nuk është periudhë e përshtatshme për t’i grumbulluar lojtarët, por me të njëjtën situatë si Kosova përballen edhe ekipet e tjera kombëtare.

“Kjo periudhë është e papërshtatshme për t’i grumbulluar lojtarët sepse është kohë kur përfundojnë kampionatet dhe është periudhë e pushimeve. Megjithatë, me këtë situatë nuk përballemi vetëm ne, por edhe ekipet tjera”, ka thënë Giresse.

Paraprakisht, menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala, ka bërë të ditur se futbollisti i Hammarbyt, Edvin Kurtulus, i cili më parë ishte kapiten i Kombëtares U21 dhe që së fundmi ishte në listën e Alain Giresse për ndeshjet e qershorit, e ka njoftuar FFK-në se ka bërë zgjedhjen e tij, duke vendosur të luajë për Suedinë.

“Pa dyshim jam i zhgënjyer, mirëpo çfarë të bëj unë. Nuk mund të shkoj në Suedi dhe t’i them atij eja luaj për Kosovën. Ai ishte kapiten i Kombëtares U21. I kam bisedat, ai ishte i kënaqur për vendimin që e ka marrë dhe vendimi i takon atij. Fakti që ne e kemi ftuar të luajë për Kosovën nuk do të thotë se do të kishte meodomos minutazh. E njëjta situatë është edhe me lojtarët e tjerë të ri, të cilët marrin ftesa për të luajtur me kombëtaret e tjera dhe vendimi u takon lojtarëve”, ka theksuar Giresse pasi u pyet lidhur me vendimin e Kurtulus.

Sa i përket mungesës së Rashanit dhe Hadërgjonajt, ai ka thënë se lojtarët kërkuan që të mos përfshihen në këto ndeshje për shkaqe personale.

Duke folur për katër ndeshjet e radhës, të parat zyrtare nën drejtimin e tij, Giresse është shprehur se nuk ka ndeshje të lehta. “Synimi është që të kemi paraqitje sa më të mira në këto katër ndeshje për t’i arritur pritshmëritë tona. Nuk ka ndeshje të lehtë dhe nuk guxojmë të mendojmë se ka lojë të lehta ose të vështira sepse nëse mendojmë ashtu do të nisemi drejt dështimit. Në futboll duhet të kesh modesti, t’i respektosh të gjithë. Duhet të japim maksimumin dhe secilën ndeshje ta trajtojmë veç e veç”, ka shtuar Giresse.

Francezi ka thënë se nuk vendos objektiva para kohe, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova ta fitojë grupin në Ligën C.

“Nuk dua të caktoj objektiva. Dua t’i marrim ndeshjet një nga një dhe pastaj do të shohim. Pse jo të mos e fitojmë edhe grupin”, ka nënvizuar Giresse.

Kosova ndeshjen e parë e luan si mysafire kundër Qipros, më 2 qershor, derisa më pas dy ndeshje i luan në shtëpi kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut, për ta përmbyllur këtë grumbullim me ndeshjen si mysafire kundër Greqisë, më 12 qershor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat