Ivan Perisic ishte një ndër lojtarët më të mirë të Interit në sezonin që sapo përfundoi. Anësori ofensiv kroat shënoi 8 gola dhe dhuroi 7 asiste në Serie A, kampionat ku nuk do të luajë më.
33-vjeçari del lojtar i lirë më 30 qershor, teksa karrierën do e vazhdojë në Premier League. Drejtuesit e Interit i kanë bërë një ofertë, por Perisic nuk ka ndërmend të rinovojë.
Në ishull e duan Chelsea dhe Tottenham. “Blutë e Londrës” kanë probleme sa i përket pronësisë së klubit, ndërsa Antonio Conte insiston ta marrë në skuadrën e tij.
Oferta e Tottenham plotëson dëshirat e sulmuesit të majtë: kontratë 2-vjeçare dhe pagë sezonale 6 milionë euro. Lojtari ballkanas tundohet nga ideja për të luajtur në Premier League.
Te Tottenham presin përgjigjen e tij përfundimtare, që pritet të jetë pozitive. Perisic fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën e Italisë me Interin, ndërkohë që po pret të nisë një tjetër aventurë me Conten si trajner.