Luka Modriç dhe Reali i Madridit kanë arritur një marrëveshje përfundimtare që lojtari kroat të vazhdojë edhe një sezon me fanellën e bardhë. Loja e treguar gjatë gjithë sezonit ka qenë garancia kryesore për ish-Topin e Artë për të zgjatur edhe një vit qëndrimin e tij me klubin madrilen.
Dëshira e drejtuesve të Real Madridit ishte e qartë, një bisedë e vetme i mjaftoi Luka Modricit për të nënshkruar sezonin e tij të njëmbëdhjetë në klubin “merengues”.
Ashtu siç ndodhi në rinovimin e tij të fundit, kontrata e re do të zgjasë një sezon, pa rritje apo ulje rroge. Modric e ka merituar në fushë pagën që merr. Askush nuk e shikon kartën e identitetit të kroatit.
Vetëm ajo që tregon në çdo ndeshje dhe përkushtimi që ka me klubin vlen diçka që nuk ka çmim.
Pa kontributin e jashtëzakonshëm të kroatit, Reali vështirë se do ta kishte mbyllur sezonin me dy trofetë më të rëndësishëm: titullin e La Ligas dhe Championsin.