Shqetësuese është se si zhvillohen garat rajonale të futbollit në Ferizaj për grupmoshat të reja.
Një garë neveritëse edhe për talentet e kësaj loje më të popullarizuar në botë, klubet stërviten tre muaj për tri javë gara, një rast i paprecedent!
Deri me tash ka mbretëruar një heshtje varri, por sot e humbi durimin trajneri i Ferizajt U-15, Fatlum Hajrullahu, duke treguar se çfarë po ngjan me Lidhjen Rajonale të Ferizajt!
Shtrohet pyetja, si mundet një futbollist i talentuar të rritet e të përsoset me aq pak ndeshje garuese, vetëm për tre javë?
Këta zotërinj që udhëheqin Ligën Rajonalet të futbollit të Ferizajt, a e kanë menduar ndonjë sistem garues më të kapshëm dhe më me shumë ndeshje, që të zhvillohet një talent?
A mos vallë qëllimi i tyre është që të kryejnë sa më shpejt aktivitetin garues dhe të regjistrojnë si një përfundim i suksesshëm garues tre javësh!
Nuk është mirë klubet të heshtin e t’i fusin veshët në lesh para këtij fenomeni!
Fatlum Hajrullahu flet për gazetën kombëtare “Bota sot” për këtë fenomen që ndodhë në rajonin e Ferizajt, sa skandaloz aq edhe shqetësues se si duket sistemi garues, gjithnjë duke iu referuar të lartpërmendurit!
“Bota sot”: Përmes një shkrimi sot keni shprehur shqetësimin tuaj, çfarë po ngjan me rajonin e Ferizajt?
Fatlum Hajrullahu: Shqetësimi im është që zhvillohen pak ndeshje, kampionati është shumë i shkurtër, fëmijët nuk kanë motiv me mbajt stërvitje nëse nuk ka lojë ose turne të ndryshëm.
“Bota sot”: Pse deri tani askush nuk ka reaguar por me këtë lloj sistemi garues janë dëmtuar edhe ekipet e të rinjve?
Fatlum Hajrullahu: Nuk e di pse nuk ka reaguar askush, unë mendoj që duhet të ndryshohet sistemi i garave ose të mendohet për zgjerim të ligës me rajonet e tjera, të garojnë 10 ekipe më cilësore po të kenë më shumë ndeshje, në mënyrë që të zhvillohen futbollistët e rinj sepse loja është ajo që i përgatitë futbollistët për një karrierë profesionale.
“Bota sot”: Kush e pruri këtë sistem garues dhe pothuajse skandaloz?
Fatlum Hajrullahu: Nga 7 ekipe janë në dy grupe. Mirëpo në play - off kanë shkuar vetëm vendet e para, kurse vitet e kaluara kanë shkuar nga 4 ekipe. Më mirë do të ishte që të shkojnë nga 4 ekipe sepse do të kishe lojë më shumë.
“Bota sot”: Si e mendoni ndryshimin garave, a keni ndonjë ide?
Fatlum Hajrullahu: Unë mendoj që ekipet e organizuara të rajonit të Ferizajt edhe Gjilanit me rrethin të bëhen 10 ekipe e me tri kategoritë dhe të luajnë. Psh: sezonin e parë dy ndeshje FC Ferizaj - FC Drita, kurse ekipet tjera të garojnë në ligat qysh kemi garuar deri me tash ose të formohet edhe Superliga për U-15 në nivel nacional sikurse liga U-17, përndryshe do ta kemi problem që të prodhojmë futbollistë cilësor me këtë nivel te garimit.
“Bota sot”: Stërviteni tre muaj për tre javë gara, po lë kjo pasoja?
Fatlum Hajrullahu: Ne kemi filluar stërvitjet në muajin shkurt, kurse garat kemi filluar në fillim të muajit maj, është e vështirë më i motivuar lojtarët me mbajtje stërvitje pa zhvillimin e ndeshjeve. Në rajonin e Ferizajt është e vërtetë që mungon edhe infrastruktura sportive e kemi vetëm një stadium me gjithë ato shkolla të futbolli. Me të vërtetë është problem edhe ndeshje miqësore me zhvillu për arsye se fusha është e zënë gjithë ditën.
“Bota sot”: Një stadium në Ferizaj, a është edhe një ngarkesë e madhe për të gjitha klubet për të stërvitur, çfarë mungon më shumë?
Fatlum Hajrullahu: Me të vërtetë një stadium është pak në Ferizaj shikoj qytet e tjera secila i ka nga dy e tri stadiume ndihmëse për stërvitje, në Ferizaj ka nevojë për dy ose tre stadiume urgjentisht të ndërtohen në mënyrë që futbollistët e rinj t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre. Në Ferizaj ka shumë të rinj që dëshirojnë të merren me futboll, prandaj ne që merremi me futboll e kemi për obligim që të bëjmë përpjekje që t’i përmirësojmë kushtet për zhvillim e lojës me të bukur në botë futbollit.