Kombëtarja e Shqipërisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Mes emrave që kanë marrë pjesë në stërvitjen e djeshme, ka pasur disa ndryshime.
Elhan Kastrati është mungesa e kësaj dite, me portierin i cili po zgjidh disa çështje procedurale që lidhen me pasaportën.
Aktualisht kanë mbetur dy portierë, Berisha dhe Selmani, sepse Tafas që po stërvitet me Kombëtaren A, është përfshirë në listën e Alban Bushit për ekipin U-21.
Ndërkohë, Odise Roshi ka vazhduar të stërvitet veçmas nga skuadra për shkak të problemeve fizike që futbollisti ka shfaqur, por pritet që 31-vjeçari të jetë i gatshëm për sfidat me Izraelin dhe Estoninë.
Nga ana tjetër, sot është planifikuar që të zbarkojë në Durrës “Këpuca e Artë” në Bundesligën austriake, Xhakomo Vrioni.
Sulmuesi ka mbaruar angazhimet me ekipin e tij, Tiroli, dhe tashmë do të jetë nën urdhrat e Rejës.
Një sulmues tjetër që të gjithë e presin është edhe Armando Broja, që në konferencën për shtyp, kur trajneri italian publikoi listën, tha se 20-vjeçari ishte pozitiv me COVID, edhe pse në asnjë media në Angli nuk ka dalë një lajm i tillë.
FORMACIONI – Me disa lojtarë jashtë për shkak dëmtimesh, tekniku Edi Reja ka 6 ditë kohë për t’u përgatitur dhe për të nxjerrë një formacion që do të kërkojë rezultatin pozitiv që në nisje.
Në transfertën e Islandës, me mungesën e Strakoshës, Etrit Berisha është ai që do të mbrojë kuadratin.
Në mbrojtje pritet që rreshtimi të jetë i njëjtë si në ndeshjen me Spanjën, me Balliun nga e djathta, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti në qendër dhe Hysaj nga e majta.
Në mesfushë pritet që të vendoset treshja Gjasula, Asllani dhe Nedim Bajrami, ndërkohë përpara tyre me të avantazhuar janë Cikalleshi me Uzunin.
Gjithsesi, ditën e sotme Kombëtarja do të zhvillojë një ndeshje miqësore brenda grupit në stadiumin “Niko Dovana”, aty ku Reja do të qartësohet më shumë për titullarët.