Kombëtarja e Kosovës e mori një lajm të keq para ndeshjeve të qershorit.
Mërgim Vojvoda ka pësuar lëndim në stërvitjet e “Dardanëve” dhe nuk do të mundë ta ndihmojë ekipin e Alain Giresse në katër ndeshjet e këtij muaji.
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar sot se mbrojtësi i krahut nuk ka udhëtuar drejt Qipros dhe se ai është larguar nga grumbullimi për të vazhduar me trajtim të lëndimit në klubin e tij.
E duke e pasur parasysh se Kosovës i mungon edhe lojtari tjetër i krahut, Florent Hadërgjonaj, punët për trajnerin francez janë vështirësuar.
Vojvoda ka qenë lojtar i rëndësishëm i Verdhekaltërve kohëve të fundit, ndërsa mund ta mbulojë krahun e djathtë apo të majtë të mbrojtjes.
Kosova do të luajë nesër mbrëma me Qipron, lojë në të cilën do ta hapë kampanjën e re të Ligës së Kombeve.
Më pas, më 5 qershor e pret Greqinë e më 9 të këtij muaji, Irlandën e Veriut.
Ndërsa, maratonën e ndeshjeve të qershorit do ta mbyllë më datën 12 pasi do ta vizitojë Greqinë.
“Dardanët” synojnë të jenë të suksesshëm në këto katër ndeshje.