Gareth Bale ka mbyllur aventurën me Real Madrid. Uellsiani është pjesë e “Los Blancos” prej vitit 2013, teksa sezonin 2020/2021 e kaloi i huazuar te Tottenham, ish-skuadra.
Sulmuesi 32-vjeçar ndodhet në vitin e fundit të kontratës dhe prej 30 qershorit do të jetë lojtar i lirë. Bale fitoi 16 trofe në “Santiago Bernabeu”, ku bien në sy pesë Champions League.
Me anë të një postimi në Twitter, uellsiani ka përshëndetur klubin spanjoll, drejtuesit, lojtarët, stafin teknik dhe tifozët e shumë të Real Madrid.
“Po e shkruaj këtë mesazh për të falënderuar të gjithë bashkëlojtarët e mi, të kaluarën dhe të tashmen, menaxherët, stafin dhe tifozët e mi që më kanë mbështetur.
Kam ardhur këtu 9 vjet më parë si një djalë i ri që donte të përmbushte ëndrrën për të luajtur për Real Madrid: të veshësh këtë fanellë, të mbash stemën në gjoks, të luash në ‘Santiago Bernabeu’, të fitosh tituj dhe të jesh pjesë e asaj për të cilën ky klub është kaq i famshëm, duke fituar Ligën e Kampionëve.
Tani mund të shikoj pas, reflektoj dhe mund të them se sinqerisht se kjo ëndërr është bërë realitet, madje shumë më shumë.
Të isha pjesë e këtij klubi historik dhe të fitonim çfarë kemi fituar ndërkohë që isha lojtar i Realit, ishte një përvojë e pabesueshme që nuk do ta harroj kurrë.
Gjithashtu dua të falënderoj presidentin Florentino Perez, Jose Angel Sanchez dhe bordin që më dhanë mundësinë të luaj për këtë klub.
Së bashku kemi arritur të shndërrojmë në realitet momente që përgjithmonë do të mbeten në historinë e këtij klubi dhe të futbollit”, shkruan uellsiani.