Zëvendëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se Kombëtarja e Kosovës gjendet në Qipro për fitore, por nuk e nënçmon kundërshtarin.
Ai ka folur te "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK. "Qipro është jo kombëtare e lehtë, ne nuk duhet ta nënçmojmë, lojtarët tanë luajnë në nivel më më të lartë, por ky nuk është parametër që e vendosë fatin e ndeshjes. Kanë disa lojtarë interesantë, kemi parë disa gjëra që duhet të kemi kujdes, por ne kemi ardhur për t'i fituar tri pikë. Sot nuk ka ndeshje të lehta, këta janë të motivuar, luajnë para shikuesve të tyre", ka thënë Sahiti.
Ai është ndalur edhe te atmosfera në skuadër dhe te ndërrimi i trajnerit te Kosova, ku Alain Giresse ka zëvendësuar Bernard Challandes..
"Është një atmosferë e mirë, si gjithmonë, por me ndryshimin e selektorit pak a shumë sikur ka ardhur edhe një frymë e re dhe po shpresojmë që sot të kemi një start të mirë, ku do të startojmë me fitore, që do të jetë shumë e rëndësishme edhe për ndeshjet e tjera", është shprehur ai.
"Është më ndryshe, shihet një entuziazëm i madh, është e vërtetë që kohëve të fundit kemi pasur probleme me rezultate, dhe tash mund të them se ka ndryshuar gjithçka, lojtarët janë në formë të mirë, kanë minutazhë në klube dhe në dy ndeshjet miqësore na janë dhënë sinjale të mira".
Duke folur për ekipin, ai e ka quajtur mungesë të madhe atë të mbrojtësit Mërgim Vojvoda.
Ndeshja mes Kosovës dhe Qipros fillon në ora 18:00..