Pas një muaji shumë intensiv, i cili u mbyll me vendimin për të ardhmen e tij, Kilië Mbape tashmë është i përqendruar vetëm te kombëtarja dhe objektivi për të mbrojtur trofeun e Ligës së Kombeve të cilin Franca e nis këtë të premte në “Stade de France”.
Kampionët e botës do të përballen me Danimarkën për të mbrojtur trofeun që fituan në tetor 2021 në finale me Spanjën. Por sulmuesi i PSG-së foli edhe në lidhje me shokun e skuadrës Karim Bemzema, të cilin thotë se e uroi për triumfin në Champions me Realin:
“Ne do të përpiqemi të fitojmë Ligën e Kombeve dhe t’u japim njerëzve kënaqësinë për të na parë të luajmë. Është sfida e fundit e sezonit dhe është e vërtetë që jemi lodhur pas një sezoni të ngjeshur, por do të japim gjithçka për të fituar të gjitha ndeshjet e kompeticionit dhe kualifikuar sërish në finale si vitin e shkuar, – tha Mbape për kanalin zyrtar të Federatës Franceze të Futbollit. – Benzemanë e urova për Championsin.
Nuk është e lehtë të fitosh këtë kompeticion dhe ai e ka bërë pesë herë, prandaj edhe e urova”.
23-vjeçari iu rikthye sërish temës së Ligës së Kombeve:
“Sezonin e shkuar ishim të suksesshëm ndërsa këtë vit kemi edhe Botërorin. Po, është e vërtetë që Liga e Kombeve nuk duket një turne shumë tërheqës për shumë vetë, por ne duhet të mbrojmë titullin dhe këto janë ndeshje të rëndësishme.
Është diçka e bukur që shohim edhe tifozët që u rikthyen në ‘Klerfonten’, sepse na kishin munguar në kombëtare prej 2.5 vitesh".