Kombëtarja e Kosovës e nisi me këmbë të mbarë sot edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku si mysafire e mposhti Qipron me rezultat 2:0.
Pjesa e parë e ndeshjes la shumë për të dëshiruar, por një rikthim fantastik në pjesën e dytë bëri që “Dardanët” të arkëtojnë pikët e plota në xhiron e parë të Ligës C në Grupin 2.
Pas ndeshjes, në një intervistë për “Supersport”, mesfushori dhe golashënuesi i sotëm, Valon Berisha, zbuloi fjalët e trajnerit Alain Giresse pas pjesës së parë, ku tregoi se çfarë i motivoi ata të tregojnë paraqitje fantastike dhe ta sigurojnë fitoren në pjesën e dytë.
“Ishim pak të stresuar të gjithë, pasi nuk ishim grup dhe nuk bënim të njëjtën gjë në pjesën e parë. Mua më kërkoi të ruaj pozicionin tim dhe të mos lëviz shumë. Bashkë me Bledin bëmë më mirë në pjesën e dytë, duke ruajtur zonat tona. Kjo ishte zgjidhja taktike, që na solli edhe fitoren e ndeshjes”, tha Berisha.
Po ashtu, Berisha u shpreh i kënaqur që e filluan me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndërsa nga nesër tha se do të fillojë të analizojë Kombëtaren e Greqisë, kundërshtari i radhës i Kosovës në Grupin 2 të Ligës C.