Nga nxjerrja e tij në shitje te përfundimi i një sezoni në mënyrë fantastike kaluan shumë pak muaj, të cilët bënë që Lautaro Martinez jo vetëm të zhvillonte sezonin e tij më të mirë në karrierë, por edhe të lejonte Interin të shpresonte për titull deri në ditën e fundit.
Ishte falë gjithë kontributit të argjentinasit, që zikaltrit arritën dhe te trofetë e Kupës dhe Superkupës së Italisë, në një sezon që rezultoi të ishte më i miri i karrierës së tij.
Paradoksalisht, Lautaros nuk i ka mjaftuar për ta fshirë emrin e tij nga lista e largimeve të Interit, me klubin që nuk e konsideron të pashitshëm dhe është gati ta sakrifikojë në momentin e parë.
80 milionë eurot me të cilat vlerësohet kartoni i tij janë çdo gjë që u duhet financave të klubit në këto momente, për më tepër që nga shitjet dhe blerjet e merkatos detyrimi është që plusvalenca të jetë pikërisht 80 milionë euro.
“Demi” nuk dëshiron të largohet, e ka pohuar këtë disa herë, ka marrë vendime personale duke refuzuar edhe Barcelonën që nuk ka gjetur terren për të kontaktuar agjentët e tij, i vetëdijshëm se tek Interi është në vendin e duhur për t’u rritur edhe më. Me ambiciet e Lautaros të pafundme, le t’u hedhim një sy shifrave të sezonit që lamë pas, që tregojnë pse 24-vjeçari dëshiron të vazhdojë karrierën në Milano dhe pse klubi kërkon të përfitojë nga paraqitja e tij.