Trajneri më i trofeshëm në Kosovë, Afrim Tovërlani, me padurim e pret përballjen e sotme mes Kombëtares së Kosovës dhe Greqisë, e cila luhet sonte në orën 20.45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të dy kombëtaret e nisën për mrekulli në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve në futboll.
Kosova fitoi me rezultat 2:0 ndaj Qipros vendase dhe Greqia me 1:0 në Belfast në duel me Irlandën Veriore.
E veçanta mes Kosovës dhe Greqisë, është se në katër përballjet e deritashme tri herë u ndanë baras përveç një ndeshje që e fituan (1:2) grekët në Prishtinë.
“Po mendoj që është takim shumë i vështirë. Besoj që grekët do të vijnë të mbrohen dhe kërkojnë kundërsulmin si zakonisht!
Kemi disa barazime me ta dhe shumë më lehtë e kishim t’i mposhtim në Greqi se sa në Prishtinë!”, thotë Tovërlani për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Legjenda e futbollit merr si shembull ndeshjen e fundit të Kombëtares së Kosovës, e cila fitoi me rezultat 2:0 ndaj Qipros në “AEK Arena” në Larnaca.
“Ndeshja me Qipron e në veçanti pjesa e parë na tregoi se duhet shumë më shumë angazhim e agresivitet për t’i fituar ndeshjet. Pra mendoj që nuk do të jetë e lehtë dhe shpresoj që fati do të jetë në anën tonë”, tha Tovërlani.
Rezultatet mes Kosovës dhe Greqisë
Liga e Kombeve - me 6 shtator 2020: Kosova - Greqia 1:2
Liga e Kombeve - me 14 tetor 2020: Greqia - Kosova 0:0
Kualifikueset për Kampionatin Botëror - me 5 shtator 2021: Kosova - Greqia 1:1
Kualifikueset për Kampionatin Botëror - me 14 nëntor 2021: Greqia - Kosova 1:1