Shqipëria e minifutbollit e ka mbyllur me humbje (3-1) ndeshjen e dytë në Grupin B ndaj favoritëve të Rumanisë.
Gjashtë herë kampionët e Evropës regjistruan fitoren e dytë radhazi të edicionit, duke konfirmuar pritshmëritë maksimale për kampionatin Evropian, që zhvillohet në Koshicë të Sllovakisë.
Pjesa e parë u luajt me kujdes nga të dyja përfaqësueset deri në momentin kur Balea zhbllokoi sfidën vetëm tri minuta para përfundimit të fraksionit hapës. Pjesa e dytë i gjeti sërish rumunët më kërkues e për rrjedhojë realizuan edhe dy gola të tjerë për të siguruar tri pikët. Në të 33’, Ungur dyfishoi shifrat falë një gjuajtje të bukur nga distanca, më vonë Plopeanu i vendosi kapakun sfidës në të 39’.
Për kuqezinjtë golin e vetëm e realizoi Eugen Shima në të 45’, duke përfituar në maksimum nga një gabim i portierit kundërshtar.
Disfata është më se e pranueshme ndaj një kundërshtari superior si Rumania. Kombëtarja Kuqezi do të luajë shanset finale në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Azerbajxhanit.
Takimi ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë do të luhet të martën, duke filluar nga ora 10:30, dhe paraqet një mundësi e artë për përfaqësuesen që të koleksionojë tri pikët e para dhe të shpresojë për kalimin në raundin tjetër.