KF Shkëndija e Tetovës njofton për vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin Bruno Dita. Kështu Dita edhe në periudhën në vazhdim do të jetë pjesë e skuadrës kuqezi, duke nënshkruar kontratë të re dy vjeçare dhe duke u lidhur me klubin tonë deri në verën e vitit 2024.
“Jam shumë i lumtur që nënshkrova kontratë të re me Shkëndijën dhe që do të vazhdoj edhe për dy vite tjera të mbaj fanellën kuqezi.
Falënderoj drejtuesit e klubit që mundësuan vazhdimin e kontratës, por ka qenë edhe dëshirë e imja që të vazhdoj të jem pjesë e Shkëndijës. Posaçërisht më vjen mirë që do të vazhdoj qëndrimin në qytetin e Tetovës sepse e ndjej që jam lidhur edhe shpirtërisht me Tetovën.
Në Shkëndijë kemi formuar një grup të mirë dhe jam i bindur se në periudhën në vazhdim do të shënojmë sukseset e radhës me Shkëndijën, ndërsa unë premtoj se do të jap maksimumin për këtë fanellë” tha Bruno Dita pas nënshkrimit të kontratës së re me kuqezinjtë.