Ajet Shosholli flet para sfidës së Kosovës dhe ku shquhet Irlanda Veriore

Futboll

Ajet Shosholli flet para sfidës së Kosovës dhe ku shquhet Irlanda Veriore

Nga: Kemajl Goca Më: 7 qershor 2022 Në ora: 16:09
Ajet Shosholli

Kosova deri me tash ka zhvilluar dy ndeshje, ka një fitore dhe një humbje në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve në futboll.

Pas fitores në Larnaca me rezultat 2:0 ndaj Qipros, të dielën që e lamë pas, djelmoshat tanë zhgënjyen duke pësuar humbje me rezultat 1:0 nga Greqia.

Dardanët të enjten në mbrëmje (20.45) do të përballen me Irlandën Veriore, kjo e fundit ka një ecuri zhgënjyese, duke pësuar humbje në Belfast me 1:0 nga Greqia dhe pastaj në Larnaca luajti baras (0:0) me Qipron. 

Image

Kosova - Greqia 0:1 

Selektori i parë i Kombëtares së Kosovës në periudhën 1991-1996, Ajet Shosholli, trajneri i trajnerëve në Kosovë, mendon se nuk do të jetë ndeshje e lehtë me Irlandën Veriore, por beson e shpreson se do të korrin fitore.     

“Një përmblidhje të dy ndeshjeve të fundit, një fitore shumë me rendësi kundër Qipros me cilësi modeste. Një pjesë të dobët  dhe një pjesë të dytë shumë të mirë të djelmoshave tanë dhe si rezultat i kësaj ishte fitorja plotësisht e merituar me rezultat 2:0 kundër Qipros. 

Irlanda Veriore aplikon një futboll tipik të Britanisë së madhe, ashtu e kanë forcën, futbollin e luajnë mjaft mirë, janë vrapues të mirë dhe luftarak, nuk dorëzohen”, thotë Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shosholli shprehet se pas humbjes nga Greqia, djelmoshat do të marrin veten: “Futbollistët tanë do të marrin veten pas ndeshjes me Greqinë, do të rikuperohen edhe pse nuk do të jetë mjaft lehtë, megjithatë do të korrim një fitore, që na bën të kthehem në lojë, të jemi konkurrent në këtë garë për titullin e kamponit apo vendin e parë në grup, së bashku me ne kandidat sigurisht është edhe Greqia”. 

Ish kryetrajneri i gjeneratës së artë të Prishtinës së kapitenit Fadil Vokrri (nëntor të vitit 1984 dhe pranverë të vitit 1985), pastaj trajner shumëvjeçar i Vëllaznimit, Prishtinës, Shkëndijës, tha se fitorja kundër Irlandës Veriore do të jetë edhe një fitore psikologjike para sfidës në Athinë me Greqinë me 12 qershor.    

“Kjo fitore me Irlandën Veriore do të kishte peshën e madhe në mënyrë psikologjike, ku ndaj grekëve do të kishim shkuar të përgatitur psikologjikisht, kur dihet se dy ndeshjet e fundit në Athinë kemi luajtur baras, do të thotë në rast se fitojmë kemi gjasa reale të kalojmë mirë”, përfundon Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat