Bayern Munchen vazhdon të insistojë për shërbimet e Sadio Mane, por marrëveshja financiare me Liverpoolin nuk po arrihet, edhe pse sulmuesi senegalez ka vendosur të nisë një tjetër aventurë në karrierë pas gjashtë viteve në “Anfield”.
Kampionët e Gjermanisë kanë nevojë edhe për një qendërsulmues. Robert Lewandowski kërkon largimin, teksa ka arritur një akord me Barcelonën, që pritet të jetë skuadra e radhës e goleadorit polak.
Emri i fundit që ka dalë në skenë për majën e sulmit të ekipit të Julian Nagelsmann, është Harry Kane, kapiteni i Tottenhamit dhe i kombëtares angleze.
Antonio Conte nuk ka ndërmend të humbasë 28-vjeçarin anglez. Drejtuesit e Tottenhamit po punojnë për t’i rinovuar kontratën që i përfundon në vitin 2024.
Ndërkohë, Bayerni po monitoron situatën. Drejtuesit e rekordmenëve të futbollit gjerman kanë nisur kontaktet e para me homologët anglezë dhe së shpejti pritet të vijë oferta e parë zyrtare për Harry Kane, i cili cilësohet si pasuesi perfekt i Lewandowskit.