E kishte thënë pak kohë më parë dhe po e përsërit me zë të lartë edhe tani. Eden Hazard është gati të kthehet në atë kampionin që shihnim dikur me Chelsea.
Një premtim i madh për të lënë gjurmën e tij edhe te Real Madridi, ku deri më tani ka qenë një lojtar prej qelqi, më shumë i dëmtuar dhi jashtë fushave.
Falë edhe ndeshjeve me kombëtaren e tij në Ligën e Kombeve, belgu ndjen se mund të rikuperohet pas viteve të kaluara në stol dhe infermieri sesa në veprim.
Që nga grumbullimi i Belgjikës, pas fitores kundër Polonisë, Hazard, i cili luajti 80 minuta, ka shpjeguar se sa i sigurt ndihet për rritjen e tij fizike.
“E them shpesh këtë, më duhen minuta për të gjetur ritmin. Sa më shumë të eci përpara, aq më pak do të më duhet të shqetësohem, – ka komentuar talenti belg.
– Kur këmbët reagojnë mirë, ndjej se mund të vazhdoj. Nuk jam ende 100%, por ngadalë do të arrij. Le të themi se jam 80%, kam ende një diferencë të vogël. Ju keni parë Eden-in e vjetër, do të kthehem të jem lojtari që isha”.