Ferizaj po përforcohet me lojtarë me përvojë, me synime që të jetë sa më i kompletuar për edicionin e ri në elitën e futbollit të Kosovës.
Kryetrajneri i Ferizajt, Arbnor Morina, është para sprovave të reja, por i bindur se do të ndërtojë një ekip kompakte dhe do të janë ekip i stabilizuar në elitë.
Ferizaj është kampion i Ligës së Parë të Kosovës, grupi B, duke tubuar 62 pikë, 16 më shumë e Vushtrria në pozitën e dytë dhe rikthehen në Superligë.
Qëllimi i Morinës është që brenda ekipit të jetë konkurrencë e fortë, të ketë nga dy lojtarë në secilin pozitë!
“Ferizaj ka vazhduar me sistemin që e ka paraparë vitin e kaluar, ai është sistem që e ka quajt kryetari (Lulzim Abazi) sistemi 05, duke angazhuar futbollistë vendas dhe të rajonit të Ferizajt, po ashtu me ju dhanë rastin djemve për me luajt.
I kemi rikthyer disa ferizajas që kanë qenë në klubet tjera dhe po mundohem me kompletuar ekipin, me rritur konkurrencën, kur dihet se Superliga i ka katër ture (36 ndeshje) po ashtu është edhe Kupa e Kosovës, është numër i madh i ndeshjeve, deshëm apo nuk deshëm, duhet konkurrencë më të madhe në ekip”, thotë Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Morina tha se synimet janë që ekipi mu stabilizuar në elitë: “Synimi i ekipit është mu stabilizua në Superligë, me vazhdu me lojëra të mira dhe stabile, hapin tjetër me këqyrë çka i duhet ekipit mu plotësuar me futbollistë për me qenë më kompetetiv në garë”.
Ferizaj është përforcuar apo ka rikthyer në radhët e veta lojtarë të dëshmuar, si Astrit Fazliu (Drita). Bujar Shabani (Dukagjini), Leutrim Rexhepi (Drita), Betim Haxhimusa (Drita) dhe Edon Sadriu (Llapi).
“Deri me tash jemi përforcuar me mesfushor - sulmues, mesfushor krahu etj. Po presim edhe një mbrojtës, faktikisht në të gjitha repartet minimum mi pasur nga dy lojtarë për një pozitë”, nënvizoi Morina.
Në fillim të muajt të ardhshëm fillojnë përgatitjet për edicionin e ri.
“Me 1 korrik fillojnë përgatitjet e Ferizajt, mandej faza e dytë është paraparë jashtë shtetit, për shkak se këtu në nuk ka ndonjë vend mu zhvillu, mundet me qenë Maqedonia e Veriut apo Bullgaria. Kryetari dhe drejtori sportiv janë duke i shqyrtuar të gjitha ofertat e reja”, përfundon Morina.