Mesfushori Valon Berisha është një nga futbollistët që jep gjithçka nga vetja në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.
‘Dardanët’ mbrëmë mposhtën Irlandën Veriore (3-2), në ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kjo fitore ka rritur motivin në radhët e Kombëtares sonë, për sfidën me Greqinë, ndeshje kjo që luhet të dielën mbrëma.
Përballja Greqia-Kosova është tejet e rëndësishme në garën për kreun e tabelës. Berisha para ndeshjes me Greqinë ka ardhur me një mesazh të fortë.
Ai në Instagram ka postuar një fotografi të shoqëruar me fjalët: “Deri në frymarrjen e fundit luftojmë për Kombëtaren tonë”.
Kujtojmë se ndeshja e parë mes Kosovës dhe Greqisë është mbyllur me fitoren e grekëve prej 0-1.