Mesfusha është pika e dobët e Juventusit dhe mbi këtë repart do të punohet bindshëm këtë verë nga drejtuesit bardhezinj. Pas Pol Pogbasë që pritet vetëm të zyrtarizohet dhe një përqendrimi disi të tepruar për Angel di Marian duke parë se vetë lojtari ka kërkuar kohë për të vlerësuar pikësëpari ofertën e Barcelonës, në Torino kanë vendosur gjithashtu që të vënë shpirtin në paqe. Ndaj, edhe nëse e humbin argjentinasin, kanë se ku të fokusohen.
Emrat e rinj janë disa, mes të cilëve spikat ai i Ilkai Gyndoanit. Njeriu që shënoi golin e titullit për Mançester Sitin këtë Premier Ligë ka vendosur të ndërrojë ambient, pasi është i zhgënjyer nga trajtimi si rezervë luksi që Pep Guardiola prej kohësh i bën.
31-vjeçari ka nevojë që të luajë për të shkuar i sigurt dhe në formë në Botërorin e Katarit, prandaj kërkon një skuadër ku të ketë vendin e një titullari fiks. Juventusi ka nisur që të lëvizë për të kuptuar më qartë gjërat mbi Gyndoanin, vlera e të cilit nuk pritet që të jetë e lartë, pasi kontrata i skadon 30 qershorin e vitit 2023.
Gjithsesi, problemi i Juves edhe në këtë rast (ashtu si me Di Marian) quhet “Barcelona”. Kjo, pasi sipas “Bild”, vetë Ilkai Gyndoan u është ofruar katalanasve, skuadra e tij e zemrës dhe ajo për të cilën ka punuar që të arrijë një ditë. Por pavarësisht kësaj, “Zonja e Vjetër” do të nisë të bëjë tentativat e saj, pasi lajmi i mirë është që në Barcelonë paratë janë me pikatore, ndaj vështirësi se mund të bëhen blerje, nëse nuk ka shitje masive nga grupi aktual. Prandaj Juvja shpreson për Gyndoanin…
PULISIÇ E MUDRIK – Ndërkohë, dy emra të tjerë për mesfushën janë Marko Asensio i Realit të Madridit, një prej ndëshkuesve të Juves në finalen e Kardifit në Champions në vitin 2017, dhe risia Mikajlo Mudrik. Nëse për të parin nuk ka nevojë për shumë prezantime, por e vetmja gjë që kërkohet për spanjollin janë 35 milionë euro për kartonin e tij, 5-6 milionë rrogë në vit dhe një bluzë titullari, është ukrainasi ai mbi të cilin kërkohet të mësohet më shumë.
Mudrik është një mesfushor krahu i datëlindjes 2001, i pajisur me një shpejtësi dhe driblim fenomenal, por në të njëjtën kohë garanton edhe rezistencë e presing mbytës. Edhe për aspektin taktik garanton trajneri De Zerbi, italiani që e stërvit te Shahtjori, por kur nisi lufta dhe u ndërpre kampionati ukrainas, ai ia sponsorizoi mikut të tij Masimiliano Alegri, i cili ka nisur të studiojë, por në të njëjtën kohë ka vënë në lëvizje drejtuesit bardhezi për të kuptuar kushtet kontraktuale që pretendon ai dhe Shahtjor Donetsk.