Futbollisti i Greqisë, Anastasios Bakasetas, me padurim e pret përballjen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të zhvillohet nesër në orën (20.45), në kuadër të Ligës C të Kombeve.
Kapiteni grek theksoi se janë gati për sfidën e nesërme dhe kanë edhe përparësinë e terrenit vendas.
"Skuadra është pjekur. Tani jemi më me përvojë, me lojtarë që kanë më shumë paraqitje dhe luajnë në ligat më të mira. Ne jemi edhe më të vendosur në fushë. Luajmë çdo herë për të fituar.
Ne duhet të luftojmë për të stabilizuar në këtë nivel dhe për ta rikthyer skuadrën tonë në garat e mëdha evropiane", tha ai.
“Nëse nuk pëson gol do të marrësh patjetër një pikë. Jemi të fokusuar në planin tonë që të jemi solid dhe të mos lejojmë kundërshtarin të krijojë mundësi", ka thënë mes të tjera futbollisti.
Greqia kryeson me 9 pikë në Grupin 2, pasojnë Kosova 6, Irlanda Veriore 1 dhe Qipro 1 pikë.