Dy emra të mëdhenj të futbollit, sot u takuan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku kaluan periudhën më të mirë!
Ajet Shosholli, selektori i parë i Kombëtares së Kosovës në vitin 1991 -1996, trajner i trajnerëve në Kosovë, u takua me legjendën e futbollit Ardian Kozniku, duke kujtuar kohërat e arta, sidomos kur ishin në KF Vëllaznimi të Gjakovës dhe në KF Prishtina.
Vitet e 80-ta që nuk harrohen kurrë, Shosholli ka pasur suksesin me të madh me Vëllaznimin në Ligën e dytë ish jugosllave, grupi i Lindjes, duke e zënë vendin e tetë me 32 pikë, pastaj ka qenë kryetrajneri i parë shqiptar që ka udhëhequr Prishtinën (nga nëntori i vitit 1984 deri në pranverën e vitit 1985) në ligën e parë ish jugosllave dhe trajneri i parë që demonstrativisht lëshoi mbledhjen e kryesisë së Prishtinës në mes të gushtit të vitit 1991, duke mos pranuar masat e dhunshme të pushtuesit serb.
Po ashtu i pari trajner që Shkëndijen e Tetovës e fut (zuri vendin e parë me 63 pikë, 11 më shumë se Napredoku) në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut në vitin 1995-1996.
Kozniku, si talent i madh, shpërthen në Vëllaznim në vitin 1987, për të ardhur në Prishtinë në vitin 1988, duke pasur një karrierë brilante e pastaj në verën e vitit 1990 shtegtoi në Hajdukun e Splitit, duke arritur të fitoi edhe Kupën e Marshall Titos në vitin 1991, pastaj ishte standard (me 26 shtator të vitit 1990) për ekipin kroat, kur u dogjë flamuri ish jugosllav në Split në ndeshjen me Partizanin e Beogradit.
Nga Hajduku ka shtegtuar në ekipet elite franceze (Canes, Le Havre, Bastia) dhe i pari shqiptar që me Kombëtaren e Kroacisë fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror – “France ‘98’.
Dy emra të mëdhenj, dy personalitete të shquara e të respektuara kudo! .