Mbrojtësi i majtë i Real Madridit, Marcelo Vieira, do të përjetojë ceremininë e lamtumirës nga klubi të hënën, më 13 qershor, duke filluar nga ora 13:00. Një lamtumirë e denjë si për të gjitha legjendat e mëdha të historisë së “Los Blancos”.
Plotësisht e merituar për atë që ka dhënë në “Santiago Bernabeu” dhe ka fituar (5 Champions, ndër të tjera). Ai po largohet edhe si kapiten i skuadrës së Carlo Ancelottit.
Braziliani, i cili në sezonin e fundit ka pasur pak peshë në skuadër, do të shoqërohet nga presidenti i klubit, Florentino Pérez, në një akt institucional nderimi dhe lamtumire.
Anësori brazilian, pasi kaloi një jetë në “Santiago Bernabéu”, tani dyshon se çfarë të bëjë, sepse ai dhe familja e tij janë të kënaqur në Madrid. Për momentin i kanë ardhur tri propozime (oferta). Ato janë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Turqia.
Kjo e fundit është destinacioni më tërheqës për shkak të futbollit më konkurrues, për shkak të pranisë tradicionale të brazilianëve atje dhe për shkak të mundësisë për të luajtur në garat evropiane.