Tirana ka mbyllur gjithçka në lidhje me afrimin e tretë në merkato. Kampionët e Shqipërisë kanë siguruar shërbimet e Albano Aleksit dhe Florent Hasanit, ndërkohë që përforcimi i radhës vjen nga Kukësi.
Ardit Hila ishte pjesë e klubit verilindor në sezonin e fundit, por pa u mbyllur sezoni u dërgua te ekipi i 21-vjeçarëve.
Mesfushori shkatërrues, i cili luan edhe në qendër të mbrojtjes, do të veshë fanellën bardheblu duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Supersport konfirmon se 29-vjeçari nga Elbasani ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit më të titulluar në vend, dhe tani pritet vetëm firma në kontratë.
Një rikthim në kryeqytet për Hilën, i cili ishte pjesë e Partizanit në sezonin 2018/2019, vit kur fitoi titullin kampion me “Demat” e Skënder Gegës.