Fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi i Podujevës, do të ballafaqohet me ekipin me renome malazeze, Buduçnostin e Podgoricës, në kuadër të rrethit të parë të Conference League në futboll.
Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, do të orvatet të përgatitë ekipin sa më mirë për këtë sfidë.
Buduçnosti është fitues i Kupës së Malit të Zi dhe nënkampion i këtij vendi.
“E shoh një short të favorshëm, megjithatë duhet analizuar mjaft mirë kundërshtarin.
Tashmë e kemi edhe përvojën pasi që vitin e kaluar ishte viti i parë i yni në Evropë dhe nuk kishim atë eksperiencën e duhur për të bërë më tepër. Do të hyjmë pa eufori, të qetë dhe me hapa të sigurtë.
Tifozët tanë meritojnë më të mirën në garat ndërkombëtare dhe për këtë do punojmë maksimalisht që të korrim bashkarisht suksese”, ka deklaruar Batatina për faqen zyrtare të klubit pas shortit të hedhur sot në Nyon të Zvicrës.
Ndeshja e parë luhet më 7 korrik në Podgoricë, kurse ajo e kthimit më 14 korrik.