Etrit Berisha do të vazhdojë të qëndrojë në Serinë A edhe në sezonin e ardhshëm.
Portieri i Spalit pritet të transferohet përfundimisht te Torino, me klubin “Granata” që ka vendosur të blejë kartonin e portierit të Kombëtares kuqezi.
Etrit Berisha iu bashkua Torinos verën e kaluar nga Spali në formë huazimi.
Dhe pas një nisjeje në stol, dalëngadalë ai nisi të fitonte besimin e trajnerit të Toros dhe në fundin e sezonit që sapo u mbyll ai u kthye në një titullar të padiskutueshëm në portën e kësaj skuadre.
Ai zhvilloi 10 takime me Torinon në sezonin që lamë pas duke u ndëshkuar me një karton të verdhë, teksa në katër raste mundi ta ruante portën të paprekur.
Paraqitja e tij e ka bindur klubin që të paguajë te Spali klauzolën për blerjen e kartonit.
Sipas mediave italiane, Torino pritet të paguajë në ditët në vazhdim 1 milion euro në llogarinë e Spalit për të blerë përfundimisht kartonin e portierit kuqezi.
Sipas mediave italiane, në vendimin e klubit të Torinos për të blerë kartonin e Berishës ka ndikuar edhe trajneri Juriç, që ka besim të plotë te shqiptari..