Do të jetë Roma e Jose Mourinhos dhe Marash Kumbullës rivalja e Barcelonës këtë verë për trofeun “Joan Gamper”.
Klubi katalan do të përsërisë formatin e vitit të kaluar dhe do të ketë një përballje të dyfishtë, pasi në të njëjtën datë do të përballen edhe skuadrat e femrave të Barçës dhe Romës.
Takimi është caktuar të zhvillohet më 6 gusht në “Camp Nou”. Skuadrat e femrave do të luajnë në orën 17:30 dhe më pas ekipet e meshkujve në orën 21:00.
Do të jetë hera e parë që Jose Mourinho viziton stadiumin mitik “Camp Nou” që kur u largua nga Reali i Madridit. Takimin e fundit në këtë impiant e ka zhvilluar në vitin 2013, për Kupën e Mbretit (takimi i kthimit), të fituar 1-3 nga “Los Blancos” (Barça u eliminua).
Ndeshja e trofeut “Gamper” do të shërbejë si një prezantim dhe test i fundit për futbollistët e Xavi përpara fillimit të La Ligas, në fundjavën e 13 dhe 14 gushtit.