Edhe pse tek Interi po përgatiten për një projekt afatgjatë, jo çdo gjë është në dorën e tyre, pasi ndryshime të paralajmëruara edhe më herët pritet të ndodhin.
Një muaj më parë qeveria kineze nxori një urdhër në të cilin nuk lejohej që shoqëritë e këtij shteti të kishin në pronësi asete të huaja, një urdhër ende në fuqi që detyrimisht prek edhe grupin “Suning” që ka në pronësi italianët e Interit.
Edhe pse shumica e sipërmarrësve kinezë nuk kanë qenë dakord me këtë urdhër, fakti që Partia Komuniste e Kinës nuk ka ndër mend të paktën për momentin të shfuqizojë urdhrin e parë, mund ta detyrojë familjen Zhang të heqë dorë nga aksionet e zikaltërve.
Siç raporton “La Reppublicca”, deri në dhjetor, Stiven Zhang mund të detyrohet të shesë Interin, pasi me nisjen e 2023-shit asnjë kompani kineze nuk duhet të ketë më investime që nuk kanë rëndësi strategjike për shtetin aziatik, edhe pse “Suning” shpreson që ky urdhër të mos vendoset në zbatim.