Andrea Belotti nuk do të jetë më futbollist i Torinos. Sulmuesit 28-vjeçar i përfundoi kontrata me klubin “granata” dhe kishte lënë pezull çështjen e rinovimit, megjithatë tani ka njoftuar drejtuesit dhe shokët e skuadrës, se nuk do të qëndrojë më në Torino.
Pas 7 sezonesh, ku luajti mbi 200 ndeshje dhe shënoi 100 gola, sulmuesi i përfaqësueses italiane ka vendosur të provojë një tjetër eksperiencë dhe është në pritje të ofertave, pasi dëshiron të luajë në nivele të larta.
Momentalisht Belotti ka marrë ofertë nga Monza e Berlusconit dhe Fiorentina, por asnjëra prej tyre nuk duket se e josh sulmuesin, që mbetet ende në pritje të një oferte nga klube që luajnë në Europë.
Mediat në Itali zbulojnë se Belotti ka pasur negociata edhe me drejtuesit e Romës, por te verdhekuqtë mbetet vetëm një plan B, që mund të aktivizohet vetëm nëse do të shitet anglezi Tammy Abraham.
Gjithsesi sulmuesi 28-vjeçar nuk ka ndërmend të nxitohet për të firmosur, pasi është i bindur që nuk do ta ketë të vështirë të gjejë ekip, për vetë faktin se bëhet fjalë për një lojtar me eksperiencë dhe mbi të gjitha me parametra zero.