Roberto Carlos, ish-mbrojtës legjendar i Real-it dhe Brazilit, ka folur edhe për Kupën e Botës dhe në veçanti për Seleçao-n gjatë një eventi të lidhur me futbollin.
“Gjëja më e rëndësishme është që Brazili të ketë një skuadër të madhe. Ka ardhur momenti të fitohet Botërori sepse kujtimi i fundit që kemi është ai i 2002-shit. Ka ardhur momenti dhe jam optimist”, ka thënë Carlos.
Më pas ka shtuar: “Sigurisht, nuk është e lehtë të fitohet një Botëror. Në vitet e fundit, kombëtaret braziliane kanë luajtur shpesh ndeshje të mëdha dhe të bukura, por nuk kanë luajtur më në atë nivel (të 2002-shit). Tani duhet fituar.
“Kupa e Amerikës është e rëndësishme, por Kupa e Botës ka diçka speciale. Shtypi, edhe ai europian, e vendos Brazilin mes skuadrave favorite, ky është një faktor i rëndësishëm.
“Para disa ditësh, Luis Enrique ka thënë se Brazili është një nga katër favoritet. Për këtë them se kombëtarja përgatitet mirë, Brazili do të kthehet të fitojë”.