Dajan Shehi rikthehet në Shkodër pas vetëm një sezoni.
Mesfushori elbasanas është zyrtarizuar si afrimi i radhës në klubin kuqeblu, që tashmë paralelisht me përgatitjet në fushën e blertë për ndeshjen europiane, po punon edhe për përforcimin e organikës me elementë cilësorë. Ai ka firmosur për një vit, me mundësin e zgjatjes edhe një sezon tjetër.
I tillë konsiderohet edhe 25-vjeçari nga Elbasani, që në fund të sezonit 2020-2021 u shpall nënkampion i Shqipërisë me kuqeblutë vetëm për shkak të golaverazhit më të dobët se Teuta.
Shehi ka postuar me fanellën e Vllaznisë në krah të ikonës së kuqebluve, Vioresin Sinani, i cili ka marrë rolin e drejtuesit të skuadrës pas largimit të Matko Djarmatit, të cilit i përfundoi kontrata.
Dajan Shehi sezonin e kaluar luajti me dy skuadra të Superiores. Gjatë gjysmës së parë me Partizanin, por për shkak të pakënaqësive për minutat në dispozicion ndërpreu marrëdhëniet me të kuqtë në merkaton e janarit, duke u bërë pjesë e Skënderbeut. Ishte e pritshme që me rënien e ekipit korçar në Kategorinë e Parë të largohej nga kuqeblutë. Gjatë ditëve të fundit mësohet se ka pasur bisedime edhe me Laçin, por në fund zgjodhi të kthehej në Shkodër.