Pas një hezitimi disa ditor për të blerë kartonin e Merih Demiral, Atalanta ndërroi mendje dy ditë më parë dhe menjëherë pagoi 20 milionë euro në arkat e Juventusit, duke bërë plotësisht të sajin qendërmbrojtësin turk.
Lëvizja e bergamaskëve, që mund të ushtronin të drejtën e blerjes deri më 20 qershor, u pa vërtetë si e befasishme, teksa në Itali shumë mendojnë se pas vendimit të Atalantës për të blerë Demiral, fshihet pikërisht Interi.
Zikaltrit kanë piketuar turkun si zëvendësuesin e De Vrij, në rast largimi të holandezit dhe kanë nxitur Atalantën të blejë Demiral, duke u premtuar bergamaskëve se do ta riblejnë ata në javët e ardhshme, me një çmim pak më të lartë se 20 milionë eurot.
Natyrisht vetëm koha mund të konfirmojë nëse diçka e tillë është e vërtetë, megjithatë blerja e Demiral nga Atalanta prishi jo pak planet e Juventusit, që po negocionte shitjen e turkut te Napoli për një shifër të përafërt me 35-40 milionë euro.