Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot vizitoi talentet e futbollit në Kishnicë.
Në Kushnicë u organizua aktiviteti “Fun & Football” nga KF Shkëndija e Hajvalisë.
“Sot vizitova aktivitetin “FUN & FOOTBALL” të organizuar nga KF "Shkëndija" nga Hajvalia, i cili u mbajt në Kishnicë.
Ky aktivitet grumbulloi më shumë se 250 fëmijë të talentuar nga Hajvalia me rrethinë.
Nën mbikëqyrjen e arsimtarëve dhe të trajnerëve, fëmijët kaluan një ditë të lumtur me futbollin, e që në programin tim e kam potencuar si "Futbolli në shkolla".
Jam shumë i lumtur që kjo pikë e programit tim po zbatohet te kategoritë e reja në të dyja gjinitë.
Aty e takova edhe nënkryetarin e Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, si dhe shumë prindër dhe adhurues të futbollit, por edhe zyrtarë tjerë të institucioneve që po e përcillnin këtë aktivitet.
Qëllimi i vizitës sime ishte të shoh gjendjen e fushave të futbollit në Kishnicë, pasi FFK e ka ndërmarrë iniciativën që t'i marrë nën menaxhim dhe shfrytëzim këto fusha nga miniera "Trepça" dhe t'i shndërrojë ato në Kamp Multietnik. Shpresoj që kërkesa jonë të hasë në mirëkuptimin e Bordit të Minierave dhe nga Komuna e Graçanicës, në mënyrë që së bashku të realizojmë një projekt të tillë tejet të rëndësishëm.
Faleminderit të gjithëve që po realizoni masivizimin e futbollit!”, ka shkruar Ademi në profilin e tij në facebook.