Tare provon të transferojë portierin e Barcelonës!
Lazio duket se është hedhur në merkato për të gjetur zëvendësuesin e Tomas Strakoshës, me portierin e Kombëtares që i dha lamtumirën klubit kryeqytetas në përfundim të sezonit të fundit. Në listën e drejtorit sportive të klubit Igli Tare duket se ka përfunduar edhe portieri i Barcelonës, Neto.
Sipas raportimeve nga “Corriere dello Sport”, bardhekaltërit kanë kontaktuar klubin katalanas në orët e fundit për t’i kërkuar informacion lidhur me situatën e portierit brazilian në klub, për të tentuar më pas një ofertë në drejtim të tij.
32-vjeçari ka një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2023 dhe nuk është në planet e teknikut Çavi për sezonin e ardhshëm. Problemi kryesor në këtë tratativë është paga e lojtarit që përfiton 6 milionë euro në sezon, e cila konsiderohet si tepër e lartë nga ana e Lazios.