Problemet dhe “lufta” mes Max Allegrit dhe Claudia Ughi, ish-bashkëshortes së tij, nuk kanë fund. Trajneri i Juventusit ka një djalë 11-vjeçar nga raporti me Claudian. Allegri paguan 10 mijë euro në muaj për mirëmbajtjen e djalit, por pretendon se ish-gruaja e tij i shpenzon këto para për vete.
Tekniku livornez kërkoi që kjo shumë të përgjysmohej, duke pretenduar të paguante 5 mijë euro në muaj si pasojë e faktit që mbeti pa punë për dy vite (2019-2021).
Gjithsesi, ankesa e bërë në Gjykatën e Torinos në janarin e vitit të kaluar u refuzua, si në shkallë të parë dhe në apel, edhe pse Allegri pretendonte se gjendja e tij financiare ishte përkeqësuar.
54-vjeçari ka denoncuar ish-gruan e tij me pretendimin se shpenzon për qejfet e veta paratë e djalit, të cilat i ka shfrytëzuar edhe për t’i paguar shkollën e lartë vajzës së saj.
Claudia Ughi akuzohet për përvetësim dhe shkelje të detyrimeve familjare dhe më 5 korrik do të paraqitet në sallën e gjyqit, në Pallatin e Drejtësisë “Bruno Caccia” në Torino.
Lidhja 13-vjeçare përfundoi në vitin 2017. Max dhe Claudia arritën një marrëveshje në Gjykatën Civile të Torinos, ku trajneri i Juves mori përsipër të paguante dhjetë mijë euro në muaj për mbajtjen e fëmijës.
Nga hetimet u zbulua se Claudia do të kishte mbi 200 mijë euro shpenzime të panevojshme nga 600 mijë euro që kishte marrë pas përfundimit të marrëdhënies me Allegrin.