Manchester United ka arritur marrëveshjen me Tyrell Malacia pasi mposhti konkurrencën e Olympique Lyonit në momentet e fundit. Mbrojtësi i majtë pritet të bëhet transferimi i parë i 20 herë kampionëve të Anglisë në merkaton e verës, me Feyenoordin që ka pranuar ofertën 14 milionë paundë për 22-vjeçarin.
Francezët e Lyonit kishin rënë parimisht dakord për transferimin e lojtarit të kombëtares holandeze për 12 milionë paundë, por një kthesë e papritur e minutave të fundit ka ndryshuar në mënyrë dramatike çështjen e futbollistit.
Mbrojtësi i Feyenoordit ishte ndër lojtarët më të spikatur në Eredivisie në sezonin e fundit, teksa u aktivizua në 32 ndeshje, duke realizuar një gol dhe duke regjistruar katër asiste, ndërkohë që shquhet për karakteristikat e tij sulmuese. Ai është lojtari i vetëm në Evropë që shënoi një mesatare prej 1.5 goditjesh dhe driblimesh për ndeshje, cilësi të cilat nuk i kanë shpëtuar trajnerit Erik ten Hag, që dëshiron të instalojë futbollin e tij ofensiv në “Old Trafford”.
Pas arritjes së akordit mes klubeve pritet vetëm miratimi nga ana e 22-vjeçarit, që admirohet nga tekniku holandez i “Djajve të Kuq”. Nr.1 i Manchester United kishte prioritet kryesor përforcimin e krahut të majtë të mbrojtjes dhe me Alex Telles që pritet të largohet, Malacia do të jetë lojtari që do të konkurrojë me Luke Shaw për një vend në formacionin e parë.