Te Bajerni i Mynihut duket sikur diçka nuk shkon. Në ndryshim nga ajo çfarë jemi mësuar, fundi i sezonit të kaluar dhe kjo periudhë merkatoje ka qenë tepër e nxehtë.
Kjo veçanërisht në lidhje me kontratat e lojtarëve aktualë të klubit. Disa prej tyre kanë shprehur vullnetin për t’u larguar nga klubi, të tjerë nuk pranojnë të rinovojnë.
E natyrisht që një gjë e tillë ka turbulluar jo pak ujërat në Mynih. Një mes rebelëve të Bajernit është Serzh Gnabri. Sulmuesi i kampionëve të Bundesligës e ka parë veten në një situatë të ngushtë.
Sipas asaj çfarë ka bërë me dije “Kicker”, Bajerni i Mynihut është fare pranë marrjes së një mase ekstreme për lojtarin.
Bavarezët e kanë kërcënuar atë për ta çuar në tribunë nëse ai refuzon të rinovojë kontratën me klubin ose nëse nuk pranon të largohet në merkaton e verës.
Gnabri ka prej muajsh në duar një ofertë nga klubi, por deri më tani oferta e bavarezëve nuk e ka bindur sulmuesin për të hedhur firmën mbi kontratë.
Nëse Gnabri refuzon të rinovojë, sezoni që nis në gusht do të jetë i fundit për të me Bajernin, teksa kontrata zgjat deri në qershor 2023.
Kjo është një situatë aspak e këndshme për Bajernin, i cili në kondita të tilla ka humbur lojtarë kalibri si David Alaba apo Niklas Zyle.
Bajerni e vlerëson rreth 55-60 milionë euro sulmues in. Bajerni aktualisht po pret të mësojë vendimin përfundimtar të Gnabrisë përpara se ta nxjerrë në shitje për të mos rrezikuar ta humbasë me parametra zero verën e vitit të ardhshëm.
Për momentin sulmuesi ka zgjedhur të qëndrojë në llogoren e tij.