Espanjoli ka nisur përgatitjet për sezonin e ri që do të nisë muajin tjetër në La Liga.
Klubi nga Barcelona ka rikthyer të gjithë lojtarët për të kryer testet mjekësore përpara nisjes së stërvitjes në fushë.
Pjesë e klubit është edhe Keidi Bare, mesfushori i Kombëtares, i cili e mbylli sezonin përpara kohe për shkak të një dëmtimi në gju. Bare humbi ndeshjet e qershorit me ekipin kombëtar dhe pas një periudhe gati 3-mujore pushim, ai është rikthyer i gatshëm në Spanjë, teksa shihet që po kryen vizitat mjekësore në klub.
Fieraku është një pikë e rëndësishme në mesfushën e Espanjolit, teksa në sezonin që kaloi u aktivizua në 28 ndeshje, ku shënoi një gol dhe dhuroi 2 asiste.
Ndërkohë, në total Bare ka luajtur 57 ndeshje me Espanjolin dhe ka një kontratë që e mban të lidhur deri në vitin 2024.