PSG është shumë afër sigurimit të Gianluca Scamacca. Sulmuesi italian është nën kontratë me Sassuolon, që do të përfitojë një shumë të majme nga shitja e tij.
GDS shkruan se drejtuesit e dy klubeve dhe agjenti i 23-vjeçarit kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kalimin e lojtarit të kombëtares italiane në “Parc des Princes” për 45 milionë euro + bonuse.
Scamacca do të firmosë një kontratë të gjatë me kampionët e Francës, nga e cila do të përfitojë 3 milionë euro në sezon, shumë e destinuar të rritet nga sezoni në sezon.
Ndërkohë, klubi kryeqytetas ka rinovuar kontratën me Colin Dagba, mbrojtësin e djathtë. 23-vjeçari ka firmosur deri në vitin 2025 dhe menjëherë është huazuar te Strasbourg.
Mbrojtësi anësor ka përfituar pak minuta sezonin e kaluar dhe zgjidhja më e mirë për dy palët ishte aktivizimi i tij për një vit te skuadra tjetër franceze, aty ku do ketë mundësinë të jetë një titullar fiks.