Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti përtej rezultatit pozitiv që u arrit në ndeshjen e parë me Saburtalon, theksoi se asgjë nuk ka përfunduar dhe se më e vështira i pret të kuqtë në “Air Albania”.
Sot u shfaq një Partizan që dominoi pjesën e parë dhe ishte super taktikisht por shpërdoroi shumë raste…
Kur ke një ndeshje të tillë, që kundërshtari është me ritëm në aspektin fizik, duhet ta përballosh me ekuilibër dhe ta përgatisësh sa më mirë. Në të tilla ndeshje duhet të mendosh shumë në aspektin taktik. Skuadra ka pasur shumë largime dhe afrime, prandaj nuk është e lehtë që për 3 javë të jesh perfekt. Duhet kohë që të kolaudohemi dhe të gjejmë ritmin e duhur. Por kjo nuk është justifikim. Duhet të rrimë me këmbë në tokë, sepse kemi një ndeshje shumë të vështirë edhe në Tiranë.
Në pjesën e dytë skuadra luajti pak më shpejt, por sërish humbi raste. Pse në 10 minutat e fundit ekipi u tërhoq?
Për sa u përket rasteve të humbura, është gjendje emocionale e lojtarëve. Duhet të jenë edhe pak më shumë altruistë me njëri-tjetrin, por nuk duhet të harrojmë që janë të rinj dhe luajnë në kompeticione të tilla të rëndësishme. Emocionet ndikojnë. Duhet të shënonim golin e dytë, por pasi humbëm 2-3 mundësi, s’kishim shumë besim dhe u tërhoqëm.
Pas fitores 1:0 mendoni se kualifikimi është i përfunduar?
Nuk duhet ta bëjmë këtë gabim. Nga unë i pari deri tek lojtari i fundit duhet të jemi të përqendruar. Më e vështira nuk ka përfunduar.