Betim Fazliji mund të ndryshojë skuadër gatë afatit kalimtar të verës.
Qendërmbrojtësi është lindur dhe rritur në qytetin zviceran St Gallen, ku ka kaluar të gjitha grupmoshat deri në ekipin e parë tek skuadra FC St Gallen.
23-vjeçari prej tre vitesh po luan rregullisht në ekipin e parë dhe tanimë është gati për ta bërë një hap para në karrierën e tij.
Duke marrë parasysh se kontrata me klubin zviceran i skadon në verën e vitit 2023, St Gallen është gati ta shes atë dhe Fazliji është gati për ta bërë transferimin e parë në karrierë.
Reprezentuesi i Kosovës pritet ta vazhdojë karrierën në Gjermani, ku skuadra nga Bundesliga 2, St Pauli ka shprehur interesim për transferimin e tij.
Fazliji ka pranuar transferimin në Gjermani dhe tani dy klubet po diskutojnë për shumë e transferimit e cila besohet se do të jetë rreth një milion euro, shkruan Telegrafi.
Fazliji deri më tani ka zhvilluar 97 ndeshje zyrtare me St Gallen, ku ka shënuar edhe pesë gola e ka asistuar në një tjetër.
Transferimi i tij te St Pauli pritet të finalizohet në fillim të javës së ardhshme.