​Thaçi zbulon të ardhmen, godet Pefqelin dhe të larguarit e tjerë

Futboll

​Thaçi zbulon të ardhmen, godet Pefqelin dhe të larguarit e tjerë

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 13:37
Malisheva

Skuadra e Malishevës do të garojë edhe për një tjetër sezon në kampionatin elitar të futbollit kosovar pasi arritën që me sukses të sigurojnë mbijetesën pas zhvillimit të ndeshjeve të barazhit në edicionin e kaluar.

Lajmi i parë i mirë tashmë ka ardhur dhe ka të bëjë me kryetrajnerin, Arsim Thaçi, i cili për KosovaPress ka zbuluar se e ka vazhduar kontratën edhe për një vit tjetër.

Thaçi: Mbetem te Malisheva, e kam vazhduar kontratën

“Ne jemi trajnerë dhe gjithmonë kryejmë punën tonë, klubet janë ato që vendosin për të ardhmen e një trajneri kështu që është një lloj privilegji tani është viti i dytë që unë jam te Malisheva… Pjesa tjetër është vazhdimi i kontratës edhe për një vit tjetër dhe shpresoj shumë që gjërat do të ndryshojnë sa i përket edhe ambicieve të tjera që varet edhe prej lojtarëve që ne do të marrim, por realisht pres që këtë vit Malisheva të jetë ekip më stabile se vitin e kaluar duke e ditur se tani më një vit eksperiencë është më shumë dhe është e mjaftueshme për një klub të paktën për të treguar cilësitë e saj brenda një kampionati”, tha fillimisht Thaçi.

Thaçi e pranon se objektivat e edicionit të ri do të varen shumë nga niveli i lojtarëve që do të afrohen në skuadër.

Thaçi: Varësisht nga niveli i lojtarëve, do t’I përcaktojmë edhe objektivat

“Çdo skuadër që e fillon kampionatin, sidomos në fillim, objektivat janë shumë madhore, por objektivin e përcakton niveli i lojtarëve dhe unë nuk mund të flas ende pa u mbyllur merkato për objektivin e Malishevës. Në momentin që ne e mbyllim merkaton, në bazë të atij niveli të lojtarëve kuptohet që caktojmë edhe objektivin dhe e dimë se me çfarë objektivi dhe ku do të jetë synimi i klubit”, shtoi ai.

Madje, ai nuk heziton të zbulojë se cilët lojtarë pritet të jenë pikat kryesore të skuadrës në sezonin që po vjen.

Thaçi: Kemi bazë shumë të mirë të lojtarëve

“Fiton Hajdari është njëri prej lojtarëve vitet e fundit që ka bartë barrën kryesore në disa klube, sidomos cilësitë e tij i ka treguar te Trepça ‘89 dhe ndoshta është njëri prej më meritorëve që Trepça në atë kohë u bë kampion… Kemi edhe lojtarë të tjerë realisht, Çlirim Avdulli, një mbrojtës i krahut të majtë që unë mendoj më tepër se sa cilësia e Gentrit Dumanit, është një zgjedhje e imja si trajner… Arbër Pira një lojtar që ka vazhduar, një lojtar që vitin e kaluar vërtetë ka treguar se është lojtar me mjaftë eksperiencë, lojtarë që e ka ndihmuar shumë klubin edhe normal klubi e ka vlerësuar shumë për vazhdimin e kontratës. Mos të flasim për kapitenin e ekipit, Dren Kryeziu, që vërtetë edhe pse ka qenë viti i parë, ka treguar që cilësitë e tij kanë qenë ndoshta edhe më herët që ky lojtar ka merituar të jetë pjesë e Superligës”, tha Thaçi.

Me jo shumë qetësi, Arsim Thaçi, flet për lojtarët që e braktisën klubin. Ai ka një mesazh direkt për mesfushorin Mërgim Pefqeli, i cili u largua për t’u rikthyer te Prishtina

Thaçi: Pefqeli u bë i rëndësishëm pasi iu bashkua Malishevës

“Nëse kthehemi prapa, në kohën kur ne e morëm Mërgim Pefqelin, nuk ka qenë Mergim Pefqeli lojtar që e ka bartur barrën kryesore në elitën e futbollit të Kosovës, por realisht mundësia iu dha te Malisheva dhe aq sa i ka ndihmuar Malisheva Mërgimit, i ka ndihmuar edhe ai Malishevës. Kështu që zgjedhja e tij ka qenë Prishtina, ne e kemi respektuar dhe jemi në rregull. Edhe Gentrit Duani është e njëjta situatë. Lojtarët janë të lirë, tek unë sidomos si trajner. E para është dëshira e lojtarit për të vazhduar te klubi, pastaj vijnë gjërat tjera, çoftë kushtet financiare, çoftë rrethanat tjera…Si do që të jetë, ne kemi edhe zgjedhje të tjera. Unë llogorisë që kemi zgjedhje në atë nivel, në ato pozita ku kanë shkuar ata lojtarë dhe ndoshta në disa pozita do të jemi ekipë shumë më e fortë se sa që kemi qenë sezonin e kaluar.”, theksoi Thaçi.

Në fund, Thaçi nuk e ka mohuar që mund të ketë largime të tjera nga skuadra derisa ka shtuar se pritet të ketë edhe blerje të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat