Kristjan Asllani shënoi golin e parë me fanellën zikaltër në një test kontrolli kundër ekipit amator Milanese, që përfundoi 10-0. Sigurisht që tifozët zikaltër presin shumë më tepër prej futbollistit të Kombëtares Shqiptare, i blerë nga Empoli.
Pikërisht në skuadrën toskane Asllani ka qenë shok skuadre me “gardianin” e Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, që në një prononcim për “Radio Sportiva” shkon deri aty sa ta quajë mesfushorin nga Elbasani Pirlon e ri të futbollit italian:
"Sapo e pashë kur stërvitej tek ekipi I të rinjve e kuptova që ishte shumë i mirë. Jam i gëzuar që ka bërë këtë hap të madh drejt Interit.
E meritonte të shkonte në një klub kaq të rëndësishëm për të luajtur në një nivel të lartë e për t’u përballur me kampionë të mëdhenj. Ka shumë cilësi, ka nevojë vetëm të hyjë sistemin e lojës.
Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për të. Unë e konsideroj Andrea Pirlon e ri të futbollit italian. Ka gjithçka për t’u shndërruar në fenomen".