Silvio Merkaj drejt kalimit në Serinë B. Sulmuesi 24-vjeçar vlonjat tërhoqi vëmendjen në Serinë C me Virtus Entellën, ku shënoi 14 gola dhe asistoi 7 të tjerë, teksa tashëm disa klube të Serisë B po provojnë ta transferojnë.
Mediat italiane citojnë emra si Brescia, Perugia e Benevento, të cilat i janë bashkuar garës për të marrë shërbimet e sulmuesit vlonjat, i cili është gati të bëjë hapin e madh në karrierë, duke u ngjitur në një tjetër nivel.
Sulmuesi ka kontratë deri në verën e 2024-ës me Virtus Entellën, megjithatë përballë interesimit të klubeve të shumta, vështirë se ligurët do të bëjnë rezistencë, duke qenë se edhe dëshira e vetë sulmuesit është në garojë një kategori më lart.
Silvio Merkaj është rritur në Itali dhe deri tani ka luajtur në liga të ulëta, megjithatë është një sulmues 1.88m i gjatë, me cilësi mjaft të mira teknike e finalizuese, ndaj në të ardhmen mund të jetë një alternativë e vlefshme edhe për sulmin e kombëtares shqiptare.