Alessio Romagnoli ka mbërritur të Romë, ku do të kryejë vizitat mjekësore, firmosë kontratën 5-vjeçare me Lazion dhe do të bashkohet menjëherë me skuadrën për të nisur fazën përgatitore, në kuadër të sezonit të ri.
Mbrojtësit italian i skadoi kontrata me Milanin dhe si lojtar i lirë, zgjodhi pikërisht bardhekaltrit e Sarrit për të vijuar karrierën, aty ku do të përfitojë 2.9 milionë euro neto në sezon, shifër që mund të shkojë deri në 4 milionë, në varësi të rezultateve që do të arrijë skuadra.
Deri tani bardhekaltrit e Lotitos kanë shpenzuar rreth 50 milionë euro dhe kanë sjellë në ekip 5 futbollistë, teksa është arritur marrëveshja edhe për të gjashtin, që do të jetë portieri Luis Maximiano, që vjen nga Granada për shifrën e 7 milionë eurove.
Casale, Gila dhe Romagnoli pritet të kompletojnë repartin e mbrojtjes, me Sarrin që tani ka gjithçka i duhet për rreshtimin me katër. Në mesfushë ka ardhur Marcos Antonio për të zëvendësuar Leivën e larguar, ndërsa në sulm është bashkuar Cancellieri.
Në portë, krahas Maximianos, pritet të vijë edhe Provedel nga Spezia, për të bërë portierin e dytë, teksa ky është një rast i rrallë që bardhekaltrit arrijnë të sjellin kaq shumë lojtarë që në nisje të përgatitjeve.
Por përtej kësaj, tifozeria nuk është përgjigjur ashtu si në klubin e Lazios presin, pasi deri tani janë shitur vetëm 7 mijë abonime për sezonin e ri, shumë pak sidomos krahasuar me anën verdhekuqe të kryeqytetit, që ka kaluar shifrën 30 mijë.