Telenovela “De Ketelere” do të vijojë.
Belgu do të luajë të dielën në finalen e Superkupës e deri në atë moment, nuk do të ketë asnjë diskutim mes Bryzhit dhe ndonjë klubi që interesohet për shërbimet e 21-vjeçarit.
Përfshirë edhe Milanin. Kuqezinjtë, siç dihet, e ndjekin fantazistin prej më shumë se një muaji. 25 milionë euro plus bonuse e më pas 28 plus 3 milionë të tjera përsëri si bonuse nuk mjaftojnë.
Në këto kushte, Maldini do të duhet të riformulojë ofertën, por sipas “Sportmediaset”, drejtori teknik nuk ka asnjë plan për diçka të tillë.
Ai mendon se 31 milionë euro për një 21-vjeçar që ka shkëlqyer vetëm në Belgjikë janë më se të mjaftueshme.
Në klubin italian shpresojnë që të jetë vullneti i De Keteleres që do të bëjë diferencën duke detyruar Bryzhin ta shesë e të mos i rezistojë më gjatë ofertës së Milanit që është edhe destinacioni i preferuar i fantazistit.
Maldini dhe Masara do të donin t’i jepnin Piolit sa më parë talentin 21-vjeçar, teksa më herët ishte folur edhe për një ofertë ku të përfshiheshin elementë të spikatur të ekipit të të rinjve, si portieri Jungdal apo sulmuesi Robak (pranë shitjes te Sent Galeni).
Largimi i talenteve me këmbime nuk është në filozofinë e kuqezinjve, ndaj nëse akordi vuloset, do të ndodhë në këmbim të parave e jo me shkëmbime të ndonjërit nga djemtë e sipërpërmendur.
Siç dihet, oferta e fundit e kuqezinjve është në vlerën e 31 milionë eurove, teksa De Ketelere vijon presionin te Bryzhi për të pranuar ofertën në mënyrë që të largohet drejt kampionëve të Italisë, ku do të duelojë me Brahim Diazin për rolin e titullarit si fantazist.
Djaloshi ka vendosur dhe po bën gjithçka për kuqezinjtë, me të cilët ka edhe një akord për pesë vite kontratë me 2.5 milionë euro rrogë sezonale.
Te Milani ai do të ishte fantazisti i ri, rol ku do të alternohej me Diazin, teksa në karrierë ka luajtur në të gjitha pozicionet e mesfushës, por edhe si 9 fals.