Vetëm një vit më parë si tani, Harry Kane sapo kishte nisur pushimet, pas zhgënjimit të “Euro 2020”, i cili përfundoi me humbjen me penallti në finale ndaj Italisë.
Në mendjen e sulmuesit të “Tre Luanëve” dhe Tottenhamit kishte shumë dyshime, përfshirë ato për të ardhmen e tij, me ëndrrën për t’iu bashkuar Manchester City, çka nuk do të realizohej kurrë. 12 muaj më vonë, horizonti ka ndryshuar, ashtu si dhe marrëdhënia e Kane me… italianët.
Ardhja e Antonio Contes në pankinën e Tottenhamit ndryshoi horizontin e sulmuesit, fjalë për fjalë të pushtuar nga metodat e punës së ish-trajnerit të Juventusit dhe Interit.
Bomberi anglez është i dashuruar me stërvitjen si të “marinsave” të aplikuar nga Conte gjatë përgatitores verore në Azi. Pavarësisht se në ndonjë rast është rrëzuar edhe përtokë, madje duke vjellë nga ngarkesat e larta fizike, Kane nuk është demoralizuar.
Përkundrazi, e ka rritur punën për të qenë “top” qysh në startin e sezonit të ri. “Antonio është fantastik, nuk jam ndjerë kurrë kaq mirë në karrierën time, – tha Kane nga Koreja, siç raporton “The Sun”. – Të jesh me të çdo ditë, duke parë përpikmërinë me të cilën përgatit çdo seancë stërvitore, pasionin që vendos në të është shumë e dobishme për mentalitetin e të gjithëve ne”.
Shkurtimisht, imazhet që kanë bërë xhiron e botës, me vetë Kane që u hodh përtokë në fund të një stërvitjeje dhe Son të përkulur nga lodhja, ishin motivuese për të: “Po pasuroj përvojën time të pasur. Po, disa seanca kanë qenë shumë të vështira, por të gjithë jemi të emocionuar për sezonin e ri.
Brenda dhomave të zhveshjes ka një konkurrencë të shëndetshme, të gjithë e dimë se mund të kemi shanset tona nëse punojmë mirë dhe ndjekim diktatet e trajnerit. Vitet e fundit nuk kemi mundur të tregojmë më të mirën, shpresojmë të bëjmë diçka të veçantë falë Antonios”.