Vijon përpjekja e “BlueSkye” për të bllokuar shitjen Milanit te “RedBird”.
Aksioneri minoritar ngriti pak javë më parë një padi në Luksemburg dhe mori autorizimin, të lëshuar nga një gjykatës amerikan, për të përdorur dokumente me qëllim anulimin e shitjes dhe marrjen e dëmeve për sjelljen e pahijshme të kryer nga “Elliott”.
Me këtë nismë, “BlueSkye” synon të vërtetojë se fondi “vepronte me ligësi e mashtrim” duke nxjerrë informacione konfidenciale pa miratim dhe pa proceduar me një procedurë të saktë tenderimi. Në një urdhër të 5 korrikut, gjykatësja amerikane, Katerine Polk, konstatoi se “BlueSkye” plotëson standardet ligjore për të marrë dokumente dhe për t’i përdorur ato në procedurat gjyqësore në Luksemburg, ku synon të bllokojë shitjen e Milanit dhe për të marrë kompensim.
Ndërkohë, fondi “Elliott”, i drejtuar nga Paul Singer, nuk trembet dhe ka besim se marrëveshja me “RedBird” do të mbyllet sipas afateve të përcaktuara.