Lum Kosova që ka stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, po mos ta kishim këtë stadium, një Zot e di se ku do të luanin klubet tona në garat evropiane!
Kosova me shtatë qytete të mëdha, vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Është strehë e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare për klubet tona, si për Dritën e Gjilanit, Ballkanin e Therandës, Llapin e Podujevës dhe Gjilanit.
Është trishtuese që Kosova ka vetëm një stadium me kritere ndërkombëtare.
Problemi tjetër është se i kujt është stadiumi “Fadil Vokrri”?
A është në menaxhim të komunës së Prishtinës, të Federatës së futbollit të Kosovës apo në duart e kujt do të mbetet në menaxhim?
Kush do ta menaxhojë? Aty duhet shumë punë profesionale për ta mirëmbajtur! A e dini që nëse nuk mirëmbahet apo degradon në cilën do pjesë psh. në anën profesionale (fusha), objektet e brendshme, objektet e jashtme, parkingjet, rrethojat, sistemi i sigurisë etj. mund t’i merret kategoria e këtij stadiumi? A ka komuna ekip të gatshëm dhe mjete të bollshme ta menaxhojë stadiumin?
A jeni ne dijeni sa janë shpenzimet vjetore të mirëmbajtjes? A janë konsultuar me FFK-në dhe a është FFK e pajtimit kur dihet që ministria e sportit dhe FFK kanë investuar në renovim për të vetmin qellim për kombëtaret tona dhe ka qenë nën menaxhimin e FFK-së.
A jeni në dijeni sa ndeshje të kombëtares dhe ndërkombëtare zhvillohen në vit? A e dini që ekziston një normë nga UEFA sa mundet me duruar fusha me bari natyral domethënë kjo fushë është e stërngarkuar.
Një fushë që shfrytëzohet nga të gjithë, më e ngarkuar se kurrë! Më e lodhur se kurrë dhe një stadium që nuk dihet i kujt është dhe në menaxhim të kujt, të paktën deri me tash!
Çfarë po ngjan me stadiumin “Fadil Vokrri”?