Juventusi i rrëmben Interit objektivin e afatit kalimtar!
Gleison Bremer është lojtari më i ri i Juventusit. Bardhezinjtë kanë fituar duelin me Interin në merkato, teksa Torino ka pranuar ofertën e “zonjës së vjetër”.
Bremer ka mbërritur në ambientet e klubit të Juventusit mëngjesin e sotëm, ku i është nënshtruar testeve mjekësore.
Futbollisti brazilian u cilësua si një nga mbrojtësat më të mirë të sezonit të shkuar në Serie A, çka tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha italiane.
Ky transferim i kushton Juventusit 41 milionë euro, plus bonuse. Lojtari ka firmosur për 5 vite me bardhezinjtë dhe mbyll kështu hapësirën e lënë pas nga largimi i De Ligtit.